Ulliri po kthehet në një nga burimet kryesore të zhvillimit rural në Gramsh

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Në Gramsh, kultivimi dhe përpunimi i ullirit po merr gjithnjë e më shumë rëndësi, duke u shndërruar në një sektor premtues për ekonominë lokale.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Gramshit, ku së bashku me kryetarin e bashkisë, Besion Ajazi, inspektuan aktivitetin e “AralAgro”, fabrikës së parë të përpunimit të vajit të ullirit në zonë.
Investimi, i ndërmarrë nga sipërmarrësi Amir Agolli që prej vitit 2018, është mbështetur nga qeveria për ngritjen e ambienteve të përpunimit. Fabrika siguron lëndën e parë nga bujqit dhe fermerët e zonës, duke krijuar një zinxhir të qëndrueshëm prodhimi dhe duke gjeneruar vlerë të shtuar për komunitetin lokal.
Vaji i ullirit i prodhuar në “AralAgro” është i pranishëm në tregun vendas si produkt cilësor “Made in Albania”.
Gjatë vizitës, Agolli bëri të ditur se synon rritjen e kapaciteteve dhe kalimin në një fazë të re zhvillimi, përfshirë zgjerimin e grumbullimit dhe krijimin e mundësive për eksport, me qëllim fuqizimin e prodhimit vendas në tregjet ndërkombëtare.
Ministri Salla vlerësoi investimin si një shembull pozitiv të bashkëpunimit mes institucioneve dhe sipërmarrjes, duke theksuar se projekte të tilla kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të zonës dhe në mbështetjen e fermerëve. /j.p/
1 nga 10