Urbanistika në Korçë, 70 ndërtesa në rrezik nga zjarri
Korçë- Pas flakëve të zjarrit që shkatërruan katin e tretë të një pallati në lagjen 13 të qytetit të Korçës, Drejtoria e Urbanistikës pranë bashkisë, së bashku me një grup pune të përbërë nga përfaqësues të emergjencave civile kanë evidentuar ndërtesat problematike që paraqesin rrezikshmëri nga zjarri.
Benila Terova, drejtore e marrëdhënieve me publikun bën të ditur se rrezikshmëri paraqesin mbi 70 ndërtesa banimi, pjesa më e madhe e tyre të ndërtuara në vitet ‘40 deri ’60, të shekullit të kaluar, kryesisht me dru dhe kallama, në të cilat nuk është investuar që nga ndërtimi i tyre.
Pjesa më e madhe e këtyre ndërtesave gjenden në zonën periferike të qytetit ,dhe një pjesë tjetër i përket zonës historike. Terova thekson se e vetmja zgjidhje për të shmangur pasojat katastrofike është kujdesi maksimal, që duhet të tregojnë vetë banorët që jetojnë në këto godina, osetë ndërhyet për rikonstruksiuonin e tyre.
“Pjesa më e madhe kanë në përbërje lëndë drusore tejet të amortizuar dhe kryesisht pishë e bredh”- thotë ajo.
Pjesë e këtyre ndërtesave është konsideruar edhe pallati që u përfshi nga flakët pak ditë më pare, i ndërtuar me kontribut vullnetar, në fillim të viteve ’60-të.