Urdhërohet evakuimi i menjëhershëm i banorëve në Sukth dhe Katundin e Ri

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes dhe bashkia e Durrësit urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të banorëve në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri.
Në zbatim Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësisë administrative Sukth dhe Katund i Ri, bashkia Durrës.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në njoftim thuhet se prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara.
Bashkia Durrës njofton se rransporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) dhe Forcat e Armatosura.
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Njësitë e kujdesit shëndetësor dhe trukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës.
Sipas Bashkisë, në kuadër të këtij procesi do të sigurohet regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm, administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore dhe ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim.
Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
Për çdo situatë emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrin e emergjencave.
/e.i/a.f/r.e/