E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria në terren, mbi 155 efektivë dhe mjete të rënda në shërbim të zonave të përmbytura

Përballë situatës të krijuar nga reshjet intensive të shiut, Forcat e Armatosura (FA) kanë intensifikuar prezencën e tyre në pikat më problematike të vendit. Mbi 155 efektivë, të mbështetur nga një flotë mjetesh të rënda dhe pajisje specifike, janë dislokuar orët e fundit në qarqet Vlorë, Fier, Durrës dhe Gjirokastër për t’u ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar.

Sipas njoftimit për shtyp, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në terren kanë zbritur efektivët e Komandës Mbështetëse dhe ata të Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut (Forca Tokësore).

Prioritet mbetet evakuimi dhe siguria e jetës së qytetarëve, si dhe menaxhimii i ujërave përmes pompave thithëse.

Harta e ndërhyrjes së FA paraqitet si më poshtë:

Durrës

Përqendrimi më i madh i forcave ndodhet në Durrës, me 61 efektivë dhe 17 mjete. Ushtria ka vënë në punë 5 gomone dhe 7 agregate motopompash (4 me fuqi të lartë thithëse) për të larguar ujin nga zonat e banuara.

Vlorë

Janë angazhuar 37 efektivë, 4 mjete dhe 3 gomone. Përveç ndihmës logjistike, në këtë qark është dislokuar edhe një autoambulancë ushtarake me dy mjekë për asistencë shëndetësore të menjëhershme.

Fier

Në zonën e rrezikuar të Urës së Mifolit dhe fshatit Ferras, po operojnë 23 forca, të mbështetur nga një numër i lartë mjetesh transporti dhe një motovarkë, për të forcuar argjinaturat dhe monitoruar nivelin e Vjosës.

Gjirokastër e Kurbin

Në jug, 27 efektivë po monitorojnë situatën, ndërsa në Kurbin është kryer një operacion xhenierik për zhbllokimin e rrugëve nga inertet.

Autoritetet ushtarake njoftojnë se do të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë me trupa dhe mjete (aktualisht 37 mjete dhe 7 motopompa në total) derisa situata hidrike të normalizohet plotësisht.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›