E Diel, 1 Nëntor 2026

VARSHAVË – “Frontex”: BE rënie prej 26% të kalimeve të parregullta kufitare në 2025-n

VARSHAVË, 15 janar /ATSH-DPA/- Numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Evropian ra me më shumë se një të katërtën në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar, sipas autoritetit të kontrollit kufitar të BE-së, “Frontex”.

Autoriteti me qendër në Varshavë tha sot se kishte regjistruar më pak se 178,000 përpjekje të kalimeve të parregullta vitin e kaluar, numri më i ulët që nga viti 2021.

“Frontex” e përshkroi rënien si një zhvillim të rëndësishëm, por paralajmëroi gjithashtu se situata në kufijtë e jashtëm të BE-së mbetej e pasigurt.

“Trendi po lëviz në drejtimin e duhur, por rreziqet nuk zhduken”, tha drejtori i “Frontex”, Hans Leijtens.

Ai tha se bashkëpunimi i ngushtë i “Frontex” me qeveritë dhe partnerët në vendet jashtë BE-së ka dhënë rezultate pozitive.

Sipas “Frontex”, vitin e kaluar pati dukshëm më pak përpjekje të parregullta për të hyrë në BE në rrugën e Afrikës Perëndimore (rënie prej 63%), në rrugën e Ballkanit Perëndimor (rënie prej 42%) dhe në kufirin tokësor të BE-së me Bjellorusinë (rënie prej 37%).

“Frontex” ia atribuoi rënien masave të përmirësuara të sigurisë dhe bashkëpunimit me Bosnjë-Hercegovinën. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›