SHBA – Trump: I kënaqur me marrëdhëniet me udhëheqjen aktuale të Venezuelës

UASHINGTON, 15 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha sot se ishte i kënaqur me marrëdhëniet e tij me udhëheqjen aktuale të Venezuelës, pas një bisede telefonike të gjatë me presidenten e përkohshme, Delcy Rodríguez.
“Mendoj se po shkojmë shumë mirë me Venezuelën”, tha ai në Shtëpinë e Bardhë, duke e përshkruar Rodríguez si një “person të mrekullueshëm”. Ai nuk specifikoi se në çfarë bazohej vlerësimi i tij.
Trump tha në platformën e tij “Truth Social” se diskutimi mbuloi disa tema, duke përfshirë naftën, mineralet, tregtinë dhe sigurinë kombëtare.
“Ky partneritet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Venezuelës do të jetë spektakolar për të gjithë. Venezuela së shpejti do të jetë sërish e shkëlqyer dhe e begatë”, shkroi ai.
Këtë muaj, SHBA-ja largoi dhe arrestoi udhëheqësin autoritar Nicolás Maduro në një operacion ushtarak në Karakas.
Uashingtoni akuzon Maduro për trafikimin e lëndëve narkotike në SHBA, një akuzë që ai e ka mohuar. Maduro aktualisht mbahet në një burg amerikan. //a.i/