FOKUS – Franca do të dërgojë trupa në Groenlandë me kërkesë të Danimarkës

PARIS, 15 janar /ATSH-DPA/- Franca po dërgon trupa në Groenlandë me kërkesë të Danimarkës, tha presidenti Emmanuel Macron, duke iu bashkuar aleatëve të tjerë evropianë në manovra ushtarake në territorin e Arktikut, ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump rrit kërcënimet për marrjen e kontrollit të ishullit.
Macron tha sot në platformën X, se trupat e para franceze ishin duke u vendosur në Groenlandë dhe se më shumë forca do të pasonin.
Ministria gjermane e Mbrojtjes ka njoftuar gjithashtu se do të dërgojë personel, në Groenlandë – duke e përshkruar dislokimin si një “zbulim” për të eksploruar kontributet e mundshme ushtarake që mbështesin sigurinë e Danimarkës në rajon.
Macron tha se Franca do të merrte pjesë në manovrat e përbashkëta, të organizuara nga Danimarka që po zhvillohen si pjesë e “Operacionit Arktik të Qëndrueshmërisë”.
Suedia dhe Norvegjia gjithashtu kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Groenlanda, një territor kryesisht autonom, është pjesë e Danimarkës, një anëtare e NATO-s.
Trump shkroi dje në platformën e tij “Truth Social” se Groenlanda duhej të ishte “në duart” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Çdo gjë më pak se kjo, është e papranueshme”, shtoi ai.
Macron iu drejtua kërcënimit të SHBA-së në një konferencë për shtyp qeveritare, duke thënë se çdo sfidë ndaj sovranitetit të një aleati evropian do të kishte pasoja të pashembullta.
“Franca po monitoron nga afër situatën dhe do të veprojë në solidaritet të plotë me Danimarkën”, tha ai. //a.i/