VARSHAVË – Polonia dislokon 5 000 trupa për kontrollin e emigrantëve pranë kufirit gjerman

VARSHAVË, 4 shtator /ATSH-DPA/ – Ushtria polake do të dislokojë 5 000 ushtarë për të mbështetur kontrollet kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë, theksoi Shtabi i Përgjithshëm.
Polonia planifikon të vendosë përkohësisht kontrollet e veta kufitare me Gjermaninë nga e hëna, në përgjigje të vendosjes së kontrolleve kufitare nga Berlini.
Disa ushtarë polakë do të përfshihen drejtpërdrejt në kontrollet kufitare, ndërsa të tjerë do të marrin përsipër “detyra që lidhen me komandën, logjistikën, trajnimin dhe sigurinë e përgjithshme të operacioneve”.
Ushtria polake ka mbështetur për vite me radhë rojen kufitare në patrullimin e kufirit me Bjellorusinë, e cila është e pajisur me një gardh të lartë dhe sisteme mbikëqyrjeje për ta bërë më të vështirë për migrantët të hyjnë në BE në mënyrë të parregullt.
Varshava më parë ka thënë se pret që kontrollet kufitare me Gjermaninë të kenë një ndikim negativ në trafikun në rajon./ /os/