E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIMI/ GJKKO shpall të pafajshëm Flamur Nokën. Ja për çfarë akuzohej Sekretari i Përgjithshëm i PD

Flamur Noka është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me akuzën për shpifje.

Vendimi u mor ditën e sotme nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj, pas shqyrtimit të padisë së paraqitur nga Gjergji Vishkulli.

Ky i fundit kishte kërkuar nga gjykata deklarimin fajtor të Nokës, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, për një denoncim publik të bërë në rrjetin social Facebook.

Po ashtu, Vishkulli kërkonte që Noka të detyrohej të përgënjeshtronte deklaratat e tij në të gjitha mediat kombëtare, me shpenzimet e veta, duke publikuar edhe vendimin e gjykatës.

Polici i burgut, paditës, Gjergji Vishkulli, e akuzonte Nokën për shpifje në lidhje me denoncimin që ligjvënësi bëri më 8 maj se, një grup policësh të Burgut të Peqinit ishin përfshirë në fushatë elektorale për shtabin e kandidates aktualisht deputete e PS, Sara Mile dhe grupit të Suel Çelës në Elbasan.

Noka në denoncimin që bëri gjatë zgjedhjeve parlamentare publikoi një listë me mbi 10 persona, efektivë burgjesh, për të cilët tha se ishin në shtabin e deputetes dhe bënin fushatë për të, duke ushtruar presion dhe kërcënime ndaj kolegëve për heqje nga puna nëse nuk votonin Sara Milen.

Ai deklaroi se madje në lokalin e një prej efektivëve ishte mbajtur edhe një takim elektoral për këtë qëllim.

Vendimi i GJKKO-së:

“1. I dëmtuari akuzues Gjergji Vishkulli me datë 21.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me të akuzuar deputetin, shtetasin Flamur Noka, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike në Republikën e Shqipërisë dhe objekt:

“1. Deklarimin fajtor të të akuzuarit të paditur për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht. 2. Detyrimin e të paditurit të akuzuar të përgënjeshtrojë denoncimin publik të publikuar në adresën e facebook-ut të të akuzuarit të paditur Flamur Noka me shpenzimet e tij nëpër të gjitha mediat kombëtare, duke publikuar vendimin gjyqësor lidhur me objektin e kërkimit dhe arsyetimin e kryer nga gjykata”.

  1. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 59, 379, 384 dhe 388/1 të K.Pr.Penale, si dhe nenin 120 të Kodit Penal, me vendimin nr. 30, datë 08.04.2026 vendosi:
  2. Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Flamur Noka, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpifja” e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, pg.2 i K.Penal, pasi fakti nuk përbën vepër penale.
  3. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
  4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›