VENDIMI/ Osmani shpërndau Kuvendin, ja çfarë thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar vendimin lidhur me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas Kushtetueses, vendimi final do të merret pasi të përfundojë shqyrtimi i plotë i të gjitha çështjeve që lidhen me rastin në fjalë, ndërsa pezullon kështu dekretin e Osmanit deri më 31 mars.
“Gjykata, më 9 mars 2026, vendosi njëzëri:
I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi;
II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”, thuhet në njoftimin e Kushtetuese.

Të premten e 6 marsit, Osmani nxorri dekretin për shpërndarje të Kuvendit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.
“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, thoshte Osmani.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti në pushtet, deklaroi më pas se shpërndarja e Kuvendit paraqet akt të paprecedent që bie ndesh me rendin dhe rastin do ta çonte në Gjykatën Kushtetuese.
Më 5 mars ishte afati i fundit kur Kosova do të duhej ta zgjidhte presidentin, 30 ditë para skadimit të mandatit të Osmanit më 4 prill.
Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita. Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.