VËZHGIMI/ Pasojat e dhunës në protesta ende të dukshme, policët ‘zëvendësojnë’ semaforët! Deri në 90 efektivë në ditë në rrugët e Tiranës, qytetarët të irrituar: Shumë rrëmujë

Pasojat e protestave të dhunshme në kryeqytet janë ende të dukshme. Sinjalistika rrugore mbetet e dëmtuar me semaforët e dalë jashtë funksioni në shumë prej kryqëzimeve më të rëndësishme. Për të ndihmuar qarkullimin, policia rrugore ka angazhuar deri në 90 efektivë në ditë në rrugët e Tiranës, të cilët në shumë raste po punojnë me orare të zgjatura.
***
Kanë kaluar 3 javë nga nisja e protestave të dhunshme, ku pre të akteve vandale ranë institucionet shtetërore, bizneset private por edhe sinjakistika rrugore.


Edhe pse prej afro 10 ditësh situata duket se po shkon drejt normalizimit edhe aktet e dhunës tashmë janë sporadike, Tirana vazhdon të vuaj ende pasojat.
Brenda unazës së vogël semaforët janë thyer ose shkulur.
E njëjta situatë dhe të Ura e Vasil Shantos.
Në zonën e Don Boskos, si dhe përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku u regjistruan përplasjet më të forta gjatë protestave.
Për të përballuar fluksin e automjeteve, policia rrugore ka angazhuar të gjithë stafin. Efektivë të saj po punojnë dhe me orë të zgjatur
“Ka pasur shërbime që kanë zgjatur 12, 14 deri në 16 orë në ditë. Mesatarisht, në unazën e mesme dhe në qytetin e Tiranës dalin rreth 80-90 shërbime në ditë, ndërsa në akset interurbane janë të dislokuara edhe 40-50 shërbime të tjera”, thotë Gerhard Baka, specialist i policisë rrugore.
Baka thotë se për shkak të situatës është vënë re një reduktim i automjeteve.
“Qytetarët, për të shmangur problematikat apo incidentet me protestuesit, kanë reduktuar përdorimin e automjeteve. Kjo ka ndikuar edhe në qarkullim”, tha Baka.
Vetë qytetarët, po e përjetojnë në mënyra të ndryshme trafikun e këtyre ditëve
“Situata në trafik është normale, edhe policia është aty.”
“Pa semaforë, respektojmë njëri-tjetrin”, shprehen qytetarët.
Po për të tjerë gjendja është problematike.
“Është shumë rrëmujë, nuk i jepet 'dum' as për këmbësorët dhe as për mjetet”, shprehen qytetarët.
Zëvendësimi apo riparimi i semaforëve, është përgjegjësi e Bashkisë. Deri atëherë, policia do duhet të jetë sërish në udhëkryqe, ndërsa ky semafor, do të vazhdojë të qëndrojë ndezur, derisa do të mund ta mbajë, teli ku qëndron i varur.