E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ Shembet me tritol hoteli në Radhimë, Rama: Do ta çojmë deri në fund betejën kundër paligjshmërisë

Një ndërtesë trekatëshe buzë detit u shemb mëngjesin e sotëm në Radhimë përmes një shpërthimi të kontrolluar me tritol. Veprimi u ndërmor nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), pasi u konstatua se objekti ishte ndërtuar në kundërshtim me ligjin dhe pa leje ndërtimi.

Për të siguruar mbarëvajtjen e operacionit, autoritetet ndërprenë përkohësisht qarkullimin në aksin Vlorë–Orikum, si dhe furnizimin me energji elektrike në zonë.

Pamjet e shembjes u publikuan nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, i cili njëkohësisht përcolli një mesazh të fortë kundër paligjshmërisë urbane. Ai theksoi vendosmërinë e qeverisë për të çuar deri në fund betejën ndaj ndërtimeve pa leje, duke e cilësuar këtë përballje si një domosdoshmëri për të mbrojtur hapësirat e përbashkëta dhe për të rivendosur rendin ligjor.

“Mirëmëngjes, dhe me këto pamje nga përballja me paligjshmërinë që lëndon e shëmton hapësirat ku bashkëjetojmë si bij e bija të këtij vendi, e ku do ta shkruajmë me se s’bën kapitullin e fundit të betejës me ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejeve, ju uroj një javë sa më të mbarë,” shkroi Rama.

Aksioni në Radhimë është pjesë e një fushate më të gjerë të IKMT-së që ka për qëllim ndalimin e ndërtimeve të paligjshme në zonat bregdetare dhe urbane të vendit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›