VJENË – E3 kërcënon Iranin me rikthim sanksionesh

VJENË, 28 gusht /ATSH-DPA/ – Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe mund të rikthejnë që sot sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, nëse Teherani nuk përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjen mbi programin e tij bërthamor, pavarësisht se ekspertët ndërkombëtarë bërthamorë janë rikthyer në Iran.
Tre vendet evropiane, të njohura si E3 ,mund të aktivizojnë të ashtuquajturin mekanizëm të “snapback” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.
Ky mekanizëm lejon që sanksionet e vjetra të OKB-së, si embargoja e armëve dhe masat ndëshkuese ndaj individëve dhe organizatave iraniane, të hyjnë sërish në fuqi.
Më herët, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, tha se inspektorët ndërkombëtarë bërthamorë janë rikthyer në Iran pas një mungese prej më shumë se shtatë javësh. Inspektorët u larguan nga vendi pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në qershor ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Një ekip i IAEA-së është dërguar fillimisht në termocentralin bërthamor të Bushehr-it, i cili nuk ishte objektiv i sulmeve izraelite, dhe jo në impiantet e dëmtuara të pasurimit të uraniumit në Natanz dhe Fordo, sipas informacioneve të siguruara nga dpa.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se një ekip inspektorësh të IAEA-së ka nisur mbikëqyrjen e ndërrimit të karburantit në centralin e Bushehr-it.
IRNA citoi zëvendësministrin e Jashtëm, Kazem Gharibabadi, të ketë thënë se mbikëqyrja e këtij objekti nga agjencia, i cili operohet së bashku me Rusinë, ishte koordinuar paraprakisht me autoritetet lokale dhe Moskën./ /Ad.Ab./