“Aldo Bare më vrau djalin, më kërcënoi”
Armand Bajrami
“Aldo Baren nuk e njoh dhe nuk dua ti dëgjoj as emrin”. Kështu u shpreh dje gjatë dëshmisë së tij tek Krimet e Rënda 73-vjeçari Ramazan Zeneli, babai i Nimet Zenelit, ndërsa po fliste për vrasjen e djalit të tij për të cilën akuzohen anëtarët e “bandës së Lushnjës”. Ramazan Zeneli, fjalët e të cilit shkaktuan reagime nga Aldo Bare, ishte një nga katër dëshmitarët e pyetur dje në procesin në ngarkim të të akuzuarit si kreu i kësaj bande, Aldo Bare. Gjatë rrëfimit të tij para gjykatës, dëshmitari tha se pas vrasjes së djalit “nga njerëzit kam dëgjuar se djalin ma ka vrarë Aldo Bare”. Më pas, i pyetur edhe nga i pandehuri Bare nga kafazi i sallës, dëshmitari mohoi ta njihte drejtpërdrejt Aldo Baren, të njohur në Lushnje edhe si Alfred Shkurti. Zeneli tregoi edhe presionet që i ishin bërë pas vrasjes së djalit nga elementë të “bandës”. Në seancën e djeshme dëshmitarët Ramazan Zeneli, Dervish Arapi, Izet Kurti dhe Alfred Gjyla rrëfyen para gjykatës dijenitë mbi ngjarjen ku u vra Genci Kashari, Bardhyl Rabija dhe vëllai i Aldo Bares, Ramadan Shkurti; ngjarjen ku u vra Nimet Zeneli dhe për ngjarjen e ekzekutimit të Xhevat Demirit.
RAMAZAN ZENELI
Ditën e vrasjes së Genci Kasharit në vitin 1997, dëshmitari Ramazan Zeneli kishte qenë në shtëpinë e vajzës së tij, pak metra larg vendngjarjes. “Dëgjova të shtëna. Dola në rrugë dhe shkova për nga klubi. Genci Kashari ishte vrarë me bukë në gojë. Ishte dhe një makinë aty me dy të plagosur. Pastaj shkoi një person dhe qëlloi mbi ta”, tha dëshmitari. Ai tregoi dje edhe për vrasjen e djalit të tij dhe presionet që i ishin bërë më pas. “Nimet Zenelin e kisha djalë. E vranë. Shkakun pse e vranë e di ai që e vrau. Më erdhën më lajmëruan që njëri nga djemtë e tu është plagosur. U nisa për në Plug, ku kishte ndodhur ngjarja. Rrugës u përballëm me makinën me dritat ndezur. U kthyem deri tek spitali, pastaj mora trupin e pajetë të djalit. Mora vesh që i kishin dalë dy vetë përpara. Djali pati qenë me dy persona të tjerë në makinë, me një djalë nga Fieri dhe një djalë tjetër me mbiemrin Selmani. Këtë Selmanin e takova ca ditë më pas. Kur e pyeta për ngjarjen ai më tha që i kishte qëlluar Arben Boriçi dhe një tjetër. Pas vrasjes së djalit kanë ardhur persona të armatosur dhe më thanë: do të vish tek komisariati numër 2. Personat ishin të veshur civilë dhe të armatosur. Njerëzit më thanë që djalin e vrau Aldo Bare. Më bënin presion, më kërcënuan. Gramoz Selmani më ka thënë që ‘Enver Dondollaku me Arben Boriçin kanë vrarë djalin tim”. Në fazën e hetimeve paraprake dëshmitari kishte pohuar se në vendngjarjen e vrasjes së Genci Kasharit kishte parë Alfred Shkurtin (Aldo Baren) me një automatik në dorë dhe se djali i tij ishte shok me Genci Kasharin dhe Gramoz Selmanin.
Dëshmitari DERVISH ARAPI
Dervish Arapi, vjehrri i Gramoz Selmanit, tha dje se Aldo Bare i kishte ardhur në ndihmë duke e këshilluar të kishte kujdes nga dhëndri i tij. “Vajza ime ka qenë e martuar me Gramoz Selmanin. Ai e mori dhe e çoi në Itali. Tani di që është në Greqi. Fredi më thërriste dhe më thoshte që: po pate mundësi, kur të vijë Gramoz Selmani hajde dhe më njofto. Unë vetë Gramozin e kam takuar disa herë vetëm kur ishte ende pa shkuar në Itali. Pasi ndodhën këto ngjarjet ai nuk u duk më fare. Kam marrë vesh që ka qenë këto kohë në Tiranë, por tek unë nuk ka ardhur. Djalin tim Ademin e morën ‘ushtarët’ e Fredi Shkurtit dhe e rrahën. Por më vonë, pasi është bërë shkas Fredi, e çuan në spital dhe u kurua. Aty djali ka ndenjur rreth dhjetë ditë. Fredit i kishin vrarë vëllanë në atë kohë. Ia kishte vrarë Artur Daja, mbase kishte qenë edhe ky legeni, Gramozi. Fredi më ka ndihmuar mua. Më ka thënë: kij kujdes, kij kujdes”, tha dëshmitari. Në përgjigje të avokatit të Bares dëshmitari tha dje se Gramzo Selmani ia kishte çuar vajzën në Itali në moshën 15- vjeçare. “Nuk ka bërë martesë me vajzën Gramozi. Në atë kohë unë e kam takuar vetë Fredin. Nuk më ka bërë presion fare. Gramoz Selmani me Artur Dajën i kanë vrarë vëllanë. Gramoz Selmanin e kam njohur si një rrugaç të Lushnjës”, rrëfeu dëshmitari.
Dëshmitari IZET KURTI
Izet Kurti solli dje para gjykatës momentet kur kishte parë Artur Dajën të qëlloi nga afër vëllain e Aldo Bares, Ramadan Shkurtin, si edhe “masakrimin” që kishte pësuar në garazhin e “komisariatit Nr.2” të Lushnjës. “Emrin e Genci Kasharit e kam dëgjuar për herë të parë ditën që ai është vrarë. Ishte kohë dreke. Kisha në shtëpi vjehrrin tim Ramazan Zeneli. Dëgjuam krisma. Vjehrri kishte zbritur nga shtëpia përpara mejë. Dola edhe unë pas tij. Vjehrrin e gjeta pranë makinës me dy të vrarë. Njëri ishte vëllai i Fredi Shkurtit. Më pas shkuam tek lokali ku ishte vrarë Genci Kashari. E ngritëm trupin e tij të pajetë dhe i hoqëm bukën që i kishte ngelur në gojë. Erion Cicin e kam njohur si fytyrë në lagje. Erdhi me një person tjetër tek bashkia. Ishin të armatosur. Më çuan tek shtëpia e Fredit, që ishte pranë komisariatit të policisë së Lushnjës. Aty gjeta Arben Boriçin. Ishin edhe disa persona të tjerë aty. Pastaj më qëlluan të gjithë me këmbë karrikesh. Më shkatërruan me sekonda. Nga rrahja mu thyen dy gishta. Pata edhe dëmtime të tjera. Ditën kur u vra Genci Kashari kam parë Artur Dajën dhe Gramoz Selmanin me automatik në dorë. Pashë nga larg edhe Artur Dajën kur shkoi tek makina dhe qëlloi mbi dy të plagosurit”, tregoi për togat e zeza Kurti.
Dëshmitari ALFRED GJYLA
Dëshmitari Alfred Gjyla e kishte parë për herë të fundit Xhevat Demirin mëngjesin e ditës kur ai u vra. “Xhevat Demirin e kam njohur si tregtar. Kam pirë disa herë kafe me të. Para se të vdiste Xhevati më pati thënë se Artur Daja i kishte marrë dy makina me zor. Nëna ime ka larë kufomën e Xhevatit në përgatitjet për ceremoninë e tij mortore. Mora vesh që Xhevatit i kishin dalë 3-4 veta të maskuar përpara dhe e kishin qëlluar. Këto mi tha Albert Gjyla që kishte qenë në makinë me të. Ditën e ngjarjes unë e ndihmova Xhevatin të ndizte automjetin në mëngjes, pasi po shkonte për plazh në Durrës. Shenja plagësh të dukshme, Xhevati kishte një vrimë plumbi në nofullën e majtë”, tha dëshmitari. Sipas prokurorisë, në fazën e hetimeve paraprake dëshmitari kishte pohuar se “në trupin e Xhevatit kishte shumë vrima dhe kishte dëmtime të kafkës në pjesën e pasme të kokës”.
Dëshmitarët, “thellojnë” misterin e Gramoz Selmanit
TIRANE – Emri i Gramoz Selmanit u lakua disa herë dje gjatë zhvillimit të seancës, ndërsa për procesin vazhdon të jetë e paqartë pozita e tij penale. Pak seanca më parë ai dëshmoi në procesin ndaj Bares, ku pohoi se kishte qenë rastësisht në tavolinën e Genci Kasharit, ditën që ky i fundit u vra. Ndërkohë dëshmitarët e djeshëm treguan se kishin parë Selmanin të armatosur me kallashnikov ditën e ngjarjes. Ardhja e Selmanit si dëshmitar u kundërshtua edhe nga avokati i Bares, për shkak të pozitës së paqartë penale të tij. Sipas mbrojtjes, Gramoz Selmani akuzohet për gjashtë vrasje dhe se prokuroria nuk ka paraqitur një vendim pushimi të hetimeve ndaj tij. Pasi dëshmoi edhe në pjesën tjetër të “bandës së Lushnjës” në procesin paralel tek Krimet e Rënda, një nga mbrojtësit depozitoi një kallëzim penal ndaj Selmanit për akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “kalimit të paligjshëm të kufirit. ar.ba
Droga, infermieri lihet i lirë,iu njoftua përfundimi i dënimit
TIRANE - Policia e Tiranës informoi dy ditë më parë në një njoftim për shtyp, se është arrestuar Blendi çela, infermieri i “QSUT”, i cili rezultonte ende në kërkim për “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. Por më vonë policia ka sqaruar se ai është liruar sërish, pasi gjatë verifikimeve nga oficerët e Antidrogës, në dokumentacionin e servirur nga gjykata, ka rezultuar se ai nuk kishte më asnjë ditë burg për të kryer. Sipas burimeve nga policia mësohet se brenda ditës kur është ndaluar si person në kërkim, ai ka dalë sërish nga Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe është kthyer në shtëpi i lirë. Nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se 3 vjet burg ishin të përfunduara nga infermieri çela, ndërsa 9 muaj të tjera dënimi ai i kishte kryer me kusht. Në këtë mënyrë ai nuk rezultonte më person në kërkim.