“Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, PS nis fushatën me kandidatet për deputete

TIRANE, 11 prill/ATSH-Maela Marini/ Partia Socialiste organizon sot në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit eventin “Vajzat dhe gratë socialiste për Shqipërinë 2030”, takim i cili i paraprin çeljes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
“Shqipëria është grua, Europa është grua”, është motoja e këtij takimi me gratë socialiste në të 12 qarqet e vendit.
Në hapje të këtij takimi, Sekretarja e Gruas të PS-së, Evis Kushi vlerësoi kontributin e grave në këtë forcë politike dhe vlerat që ato ofrojnë.
Kushi theksoi se në listat e kandidatëve për deputetë të PS-së për zgjedhjet e 11 majit, 38% janë gra dhe vajza, ndërsa në listat e mbyllura janë 52%. Kjo sipas saj, përkthehet në më shumë vëmendje në parlament për të adresuar dhunën në familje, shëndetin e gruas, ligje më të mira për arsimin e fëmijët.
Sekretarja e PS shtoi gjatë fjalës së saj, se sot pas 12 vitesh ndihet krenare për zgjedhjen që ka bërë, ndërsa e konsideron nder dhe privilegj faktin që ka mbajtur disa detyra të rëndësishme brenda kësaj partie. “Por, nuk ka privilegj më të madh për mua se të drejtoj Forumin e Gruas Socialiste të Shqipërisë. Sot jemi 38 mijë e 500 gra dhe vajza, rreth 36% dhe një nga vendimet më të mira që kemi marrë është bashkëdrejtimi i organizatave nga një burrë dhe një grua”, tha Kushi.
Sipas Kushit, në vitin 2019, kur Edi Rama e lançoi këtë nismë, shumë pak e besuan se mund të bëhej realitet.
“Por, sot kjo funksionon në 95% të organizatave socialiste në të gjithë vendin. PS sot është shumë herë më e mirë, më e hapur dhe më e fortë dhe më pranë njerëzve. Së bashku ne i kemi dhënë vendit energjinë dhe kreativitetin e grave, delikatesën, pasonin dhe e kemi shndërruar PS-në nga shtëpia e burrave të fortë në partinë e hapur për të gjithë në shpresën e shqiptarëve për ndryshim dhe progres”, pohoi Kushi.
Manastirliu: PS do të sigurojë minimumi 19 mandate dhe do të pretendojë për mandatin e 20 në Tiranë
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu u shpreh se gratë nuk janë thjesht pjesë e kësaj force politike, por zemra e saj.
“Ky është një realitet që e ka ndërtuar Edi Rama dhe PS, duke besuar te gratë dhe vajzat e këtij vendi dhe duke rritur përfaqësimin e tyre në çdo nivel qeverisje”, u shpreh Manastirliu, ndërsa prezantoi edhe gratë dhe vajzat kandidate për qarkun e Tiranës.
Manastirliu shprehu bindjen se falë kontributit të grave dhe vajzave, PS po shkon drejt fitores së mandatit të katërt.
“Falë kontributit tuaj ne do ta çojmë Shqipërinë në familjen e madhe të BE-së. Faleminderit nga zemra të 1100 bashkëdrejtuesve tona të organizatave socialiste të qarkut Tiranë”, u shpreh Manastirliu.
Sipas saj, “skuadra fituese e qarkut të Tiranës ka në përbërje të saj 23 gra dhe vajza, një ndërthurje fantastike mes eksperiencës dhe energjisë së të rejave”.
Manastirliu shprehu bindjen se në qarkun e Tiranës, PS do të sigurojë minimumi 19 mandate dhe do të pretendojë për mandatin e 20.
“Ne kemi një qëllim të qartë, të sigurojmë 19 mandate për Partinë Socialiste në Tiranë dhe t’I japim asaj një fitore historike! Kjo nuk është vetëm një shifër, është një angazhim përballë qytetarëve tanë. Dhe jemi të bindur se këtë objektiv do ta bëjmë realitet, falë forcës së organizimit, këmbënguljes dhe energjisë së jashtëzakonshme të grave dhe vajzave tona. Ju jeni zemra e kësaj partie, ju jeni garancia e fitores!”, tha Manastirliu.
Drejtuesja politike e PS Tiranë, Ogerta Manastirliu vlerësoi kontributin e grave dhe vajzave në strukturat e Partisë Socialiste, duke falënderuar drejtueset organizatave dhe 12 mijë anëtare të PS në Tiranë për angazhimin e tyre në çdo cep të qarkut të Tiranës.
Manastirliu theksoi se përfshirja e gjerë e grave në listën e kandidateve është një shtyllë e rëndësishme në rrugën drejt mandatit të katërt dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
“Falë kontributit të çdonjërës prej jush, jo vetëm në Tiranë por anekënd Shqipërisë, Partia Socialiste po shkon drejt fitores së mandatit të katërt. Por nuk është vetëm kaq. Sepse falë kontributit të çdonjërës prej jush këtu e përtej kësaj salle, Edi Rama dhe Partia Socialiste po e çojnë Shqipërinë atje ku gjithmonë e kemi ëndërruar, në familjen e madhe të Bashkimit Europian. Faleminderit nga zemra mbi 1100 drejtueseve të organizatave të PS, faleminderit 12 mijë vajzave dhe grave anëtare të forcës sonë në Tiranë. Është arsye e fortë për të qenë krenare të gjitha bashkë. 46% e listës tonë të kandidatëve për deputetë, përbëhet nga gra dhe vajza”, tha Manastirliu.
Spiropali: Sot në qeveri janë 50% gra dhe vajza dhe po ashtu në këshillat bashkiakë
Drejtuesja politike e PS-së në qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali u shpreh se socialistët dinë të jenë vetëkritikë dhe të rinovojnë skuadrat e tyre dhe të kenë gjithmonë alternativa më të mira.
“Kundërshtarët tanë e shohin ndryshe. Ata thonë me gojën plot se Edi Rama nuk mundet. Për herë të parë jam dakord me ta, nuk e mundin dot Edi Ramën dhe PS-në. Duke parë anketimet ku gratë na mbështesin në një masë të madhe dhe entuziazmin me të cilat ato i besojnë Edi Ramës, mund të them se sekreti ynë më i madh është mbështetja që kemi nga gratë dhe vajzat e Republikës së Shqipërisë, të cilat më mirë se gjithë të tjerët e dinë se është PS që u ka dhënë atyre hapësirë në çdo nivel”, u shpreh Spiropali.
Ajo theksoi se sot në qeveri 50% janë gra dhe vajza dhe po ashtu në këshillat bashkiakë.
“Është kjo forcë politike dhe ky lider politik që gjatë këtyre viteve i kanë dhënë këtë hapësirë të madhe grave dhe ato kanë ditur ta shpërblejnë”, tha Spiropali, ndërsa shtoi se “misioni ynë për betejën e 11 majit nuk është i çfarëdoshëm, është garë për Shqipërinë europiane”.
Ndërsa prezantoi kandidatet për deputete në qarkun e Beratit, drejtuesi politik i PS-së në këtë qark Ervin Demo nënvizoi objektivin për marrjen e 5 mandateve në këtë qark në zgjedhjet e 11 majit.
Drejtuesi Politik i PS në Shkodër, Benet Beci, duke prezantuar kandidatët e PS në qarkun veriperëndimor të vendit tha se PS pretendon 5 mandate.
Drejtuesja Politike e PS në Gjirokastër, Mirela Kumbaro theksoi se ambicia e PS për këtë qark është përfaqësimi në Kuvend me 4 mandate pas zgjedhjeve të 11 majit.
1 nga 5/e.i/a.f/r.e/