Vatra murtaje në Devoll, 13 bagëti të ngordhura, merren masa urgjente

Një vatër e murtajës së bagëtive të imëta është konfirmuar në fshatin Shuec të njësisë administrative Devoll, në qarkun e Korçës. Lajmi u konfirmua nga drejtori i Zyrës Rajonale të Veterinarisë në Elbasan, Spiro Hunci, i cili mbulon edhe qarqet Korçë dhe Berat.
Sipas tij, rasti është identifikuar në fermën e një bujku të vetëm, ku dyshohet për rreth 150 krerë bagëti të infektuara, prej të cilave 13 kanë ngordhur.
Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, autoritetet kanë marrë masa të menjëhershme. Bagëtitë e dyshuara janë futur në karantinë dhe shërbimi veterinar ka ndërhyrë për izolimin e plotë të vatrës dhe trajtimin e rasteve.
Ndërkohë, sipas Huncit, qarku i Elbasanit aktualisht është i pastër dhe nuk është raportuar asnjë rast i ngjashëm deri më tani.
Autoritetet veterinare po vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje fermerëve të raportojnë çdo rast të dyshimtë te shërbimi veterinar lokal.
/vizionplus.tv