E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatrat e zjarrit në Dibër, Krujë dhe Mallakastër të izoluara, vijon operacioni në Dajt

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Vatrat e zjarrit në Dibër, Krujë dhe Mallakastër janë izoluar, ndërsa operacionet për neutralizimin e plotë të zjarreve vijojnë në Dajt dhe zona të tjera të territorit.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëjnë të ditur se strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe angazhimin në terren, me kapacitete tokësore dhe ajrore.

Në Gurë-Lurë, Dibër, ku zjarri është aktivizuar që prej 11 gushtit, situata raportohet e izoluar. Sipas përditësimit operacional të orës 12:00, në terren janë angazhuar 156 efektivë të strukturave lokale, 16 efektivë të MZSH-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe një mjet zjarrfikës. Nga ajri operojnë dy avionë. Vatra është në statusin “e izoluar”.

Në Krujë, në zonat Abazaj, Bojë dhe Krastë, vatrat janë gjithashtu të izoluara. Në operacion janë angazhuar 21 efektivë të strukturave lokale, 13 të MZSH-së dhe 115 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në mbështetje janë tre helikopterë dhe mjete zjarrfikëse.

Ndërkohë, në Dajt (Tiranë) situata mbetet aktive. Në zonën pranë Qafë-Mollës vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri për neutralizimin e plotë të vatrës. Në terren janë 22 efektivë, ndërsa operacioni mbështetet nga dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Sipas autoriteteve, strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri dhe në koordinim të vazhdueshëm, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe komuniteteve dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive.

1 nga 4

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›