18 vatra zjarri në vend, 14 prej tyre mbeten aktive

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Gjatë ditës së sotme janë raportuar 31 vatra zjarri në vend, ndërsa deri në orën 18:00 janë 18 vatra, nga të cilat 14 aktive, 2 nën kontroll dhe 2 në monitorim.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet për përballimin e situatës vijojnë në terren përmes angazhimit të koordinuar të strukturave vendore dhe qendrore.
Vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor, në mbështetje të operacioneve për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Vatrat kryesore aktive janë raportuar në Dajt, Abazaj–Krujë, Gurë-Lurë, Nëmerçkë–Dhëmbel, Trojë, Lugaxhi, Dhivër–Finiq, si dhe në zona të Mallakastrës, Patosit dhe Mirditës.
Në zonën e Abazajt, në Krujë, vijon rreziku për banesat, ndërsa në zonat e tjera të raportuara situata pranë territoreve të banuara është nën kontroll ose nuk paraqet rrezik.
Operacionet në terren vijojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive, ndërsa strukturat e emergjencave mbeten të angazhuara për monitorimin e situatës dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
/e.i/r.e/a.f/