E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veliaj në GJKKO: Më është mohuar e drejta për t’u njohur me aktet e dosjes

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u zhvillua seanca e radhës paraprake ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Gjykata pritet të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim ose jo, apo do ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme.

I pranishëm në seancë kryebashkiaku Veliaj kërkoi nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) njohjen me dosjen kundër tij.

“E drejta ime për t’u njohur me aktet e dosjes më është mohuar plotësisht deri sot”, u shpreh Veliaj para trupës së gjyqtarëve, duke shtuar se edhe e drejta për mbrojtje efektive është shkelur brutalisht, në shkelje edhe të Kushtetutës dhe KEDNJ.

Veliaj kërkoi respektimin e dinjitetit, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për mbrojtje efektive.

“Qëndrimi im prej nëntë muajsh në këtë kafaz metalik, në prani të këtij trupi gjykues, përbën një shkelje të qartë dhe të vazhdueshme të dinjitetit tim njerëzor, prezumimit të pafajësisë, të drejtës sime për mbrojtje efektive dhe të vetë perceptimit të paanshmërisë së gjykatës”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj kërkoi heqjen e menjëhershme “të masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet detyruese të KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ, që e konsiderojnë këtë praktikë trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës”.

Një tjetër kërkesë, tha Veliaj, është vënia e plotë dhe e menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime.

Veliaj kërkoi gjithashtu shtyrjen e procedurës.

“Derisa kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale”, tha Veliaj.

Veliaj u shpreh se “pres drejtësi me standarde evropiane ose refuzoj të bëhem pjesë e një procedure poshtëruese që nuk e meriton asnjë qytetar i këtij vendi”.

Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›