Veliaj përballë prokurorit në gjykatë: Ols Dado nuk e ka kryer Magjistraturën, këtë e dinë të gjithë

Erion Veliaj vijon përballjen me prokurorin Ols Dado mbi kërkesën e kryebashkiakut për shpalljen nul të vendimit që e bën prokuror Dadon. Palët u përballën me jo pak debate në sallën e gjyqit në Gjykatën Administrative, me Veliajn dhe avokatin mbrojtës në njërën anë dhe vetë prokurorin e SPAK, i cili është edhe një ndër prokurorët që e ka hetuar kryebashkiakun në çështjen penale.
Avokati Ndreca fillimisht i kërkoi gjykatës të jetë i pranishëm edhe publiku në sallë, duke kundërshtuar prezencën e policisë. Shpjegime u kërkuan edhe përse nuk u lejua prania e kamerave, ndërsa gjyqtari iu referua një udhëzimi të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Të njëjtën kërkesë bëri vetë Veliaj, që seanca të zhvillohet me dyer të hapura.
Në sallë mungoi një përfaqësues i KLP-së, institucion që ka kërkuar moslegjitimimin e Veliajt si palë paditëse në procesin gjyqësor ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado. Sipas qëndrimit të Veliajt, emërimi i Dados si prokuror në vitin 2008 është kryer në kundërshtim me ligjin, duke e bërë, sipas tij, dekretin presidencial të pavlefshëm dhe, për rrjedhojë, edhe ushtrimin e detyrës nga ana e tij të paligjshëm.
Në seancë, Ndreca ka akuzuar KLP-në se, sipas tij, po mbron një situatë të paligjshme dhe po përpiqet të pengojë legjitimimin e padisë. Ai ka theksuar se padia është ngritur për shkak të cenimit të interesave të Veliajt, duke argumentuar se atij i është kufizuar liria dhe se Bashkia e Tiranës ndodhet pa drejtuesin e saj.
RTSH