Shkeljet me tenderat në ARRSH dhe Bashkinë Kolonjë, SPAK dërgon për gjykim kryebashkiakun Erion Isai dhe 11 të pandehur

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 280/1 të vitit 2020. Në kuadër të këtij procedimi, akuzohen 12 shtetas, mes të cilëve zyrtarë të lartë lokalë dhe ish-drejtues të institucioneve qendrore, për shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Bashkia Kolonjë.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë dokumentuar fakte penale që lidhen me tre procedura specifike tenderimi të zhvilluara përgjatë vitit 2020, të cilat kanë sjellë një dëm ekonomik të llogaritur në miliona lekë për buxhetin e shtetit.
Të pandehurit dhe akuzat zyrtare
Lista e personave të dërguar për gjykim përfshin drejtues institucionesh, anëtarë të komisioneve të vlerësimit dhe një administratore të shoqërisë private përfituese:
- Erion Isai (Kryetar i Bashkisë Kolonjë): Akuzohet për “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
- Eljona Mydini (Ish-zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë): Akuzohet për “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.
- Ergys Verdho (Ish-Drejtor i Përgjithshëm i ARRSH-së): Akuzohet për “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.
- Erald Elezi, Genti Raça, Donikë Shehu (Ish-zyrtarë dhe specialistë në ARRSH): Akuzohen për “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.
- Klarita Konomi, Nikollaq Mihali, Erdit Salillari (Specialistë dhe anëtarë komisioni në ARRSH): Akuzohen për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
- Erjon Cenko, Engjëll Dine, Ermal Zylfo (Punonjës të Bashkisë Kolonjë): Akuzohen për “Falsifikimi i dokumenteve, në bashkëpunim” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
- Armand Tafil, Muharrem Tartari, Shpëtim Liço (Punonjës të Bashkisë Kolonjë): Akuzohen për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
- Entela Çano (Administratore e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k.): Akuzohet për “Falsifikimi i dokumenteve”, në bashkëpunim.
Fryrja e fondit limit dhe falsifikimi i projektit për rrugën Korçë–Ersekë
Procedura kryesore e hetuar është ajo me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”, me një fond limit prej 2,879,999,858.89 lekë me TVSH, e zhvilluar nga ARRSH më 24 shtator 2020.
Hetimet e SPAK-ut zbuluan se Bashkia Kolonjë kishte pretenduar zyrtarisht se kishte vënë në dispozicion një projekt në formë donacioni, por aktet hetimore dhe ekspertimi grafik vërtetuan se dokumentacioni nuk ekzistonte.
“Grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko, Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërise ‘A& E Enginieering’sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.”, njofton SPAK.
Mungesa e një projekti real nuk ka penguar drejtuesit e ARRSH-së të miratonin preventivin përfundimtar. Sipas prokurorisë, ish-drejtori Ergys Verdho dhe vartësit e tij nuk ndoqën rrugën ligjore, por përllogaritjet i bazuan mbi të dhëna të siguruara jashtë rrugës zyrtare.
“Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, Entela Çano, administratorja e shoqërisë ‘A & E Engineering’ sh.p.k, e cila ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt”, njofton SPAK.
Ky mekanizëm, i vlerësuar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Ligjin për Menaxhimin Financiar e Kontrollin, sipas ekspertimit teknik-kontabël ka sjellë pasoja direkte në financat shtetërore.
“Fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874 lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, lidhur me tenderin e dytë për supervizimin e kësaj rruge (fond limit 22,704,145 lekë), anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave në ARRSH akuzohen se kanë shkelur ligjin duke krijuar “avantazhe dhe privilegje të padrejta” për të njëjtën shoqëri, “A&E Engineering” sh.p.k.
Favorizimi i kompanisë private në tenderin e ujësjellësit të Ersekës
Procedura e tretë e përfshirë në dosjen penale është ajo e zhvilluar nga Bashkia Kolonjë më 6 tetor 2020, me objekt “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshatrave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me TVSH.
Sipas SPAK-ut, anëtarët e komisionit për përllogaritjen e fondit limit dhe specifikimeve teknike kanë vepruar në bashkëpunim me kryebashkiakun Erion Isai për të paracaktuar fituesin.
Anëtarët e komisionit “në përllogaritjen e fondit janë bazuar pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria ‘A&E Engineering’ sh.p.k. Si dhe specifikimet teknike janë përgatitur nga administratorja e shoqërisë ‘A&E Engineering’ sh.p.k.,shtetasja Entela Çano.”
Ndërhyrjet e kompanisë private u shtrinë edhe në hartimin e dokumenteve standarde të tenderit. Hetimet specifikojnë se anëtarët e njësisë së prokurimit në Bashki, sërish në bashkëpunim me titullarin Isai, kanë miratuar kritere të diktuara drejtpërdrejt nga privati.
Anëtarët e njësisë së prokurimit“në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë miratuar dokumentet standarde të tenderit duke vendosur kritere të përcaktuara nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria ‘A&E Engineering’ sh.p.k.”
Çështja tashmë i ka kaluar për shqyrtim trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme, e cila do të vlerësojë masën e penaliteteve për të 12 të pandehurit.
/rtsh.al/