E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet e lira në administratë, Ibrahimaj: Çdo i ri ka më të lehtë informimin dhe aplikimin

Çdo i ri, i sapodiplomuar apo profesionist që kërkon një mundësi të re, tashmë e ka më të lehtë të informohet dhe të aplikojë për t’u punësuar në institucionet publike.

Kjo u bë e ditur në aktivitetin e organizuar këtë të martë, më 7 prill, për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, si dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare ka shënuar stabilitet dhe rritje të vazhdueshme vitet e fundit.

“Ekonomia shqiptare në vitet e fundit ka qenë e stabilizuar. Rritja ekonomike ka qenë nga 3.5% në 4%, ndërkohë që vitin e fundit shënoi 3.8%. Kjo rritje është shpërndarë në të gjithë sektorët, duke krijuar potencial më të lartë për të ardhurat e gjeneruara nga bizneset që operojnë në vend,” u shpreh ministrja.

Ibrahimaj nënvizoi se vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë shtuar 2600 biznese të reja, ndërsa qarkullimi i tyre është rritur me 26 miliardë lekë. “Këto të dhëna tregojnë se rritja ekonomike është stabile dhe se në vitet e ardhshme do të vijojë të jetë e tillë. Investimet vendase u rritën me 6.7%, ndërsa ato të huaja direkte me 10.7%. Kjo është një dëshmi e besimit që investitorët kanë tek ekonomia shqiptare,” tha Ibrahimaj.

Ministrja shtoi se konsumi për vitin 2025 u rrit me 3%, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në 27 miliardë lekë. Të ardhurat për frymë të familjeve shqiptare arritën në 11,302 euro, duke shënuar një rritje prej 663 eurosh krahasuar me vitin 2024.

Ky aktivitet u cilësua si një hap i rëndësishëm për të afruar të rinjtë dhe profesionistët me mundësitë e punësimit në administratën publike, duke i bërë proceset më transparente dhe më të aksesueshme.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se qëllimi është standardizimi i punësimit të administratës. Të interesuarit kanë 7 ditë afat për të aplikuar për vendin e punës që duan dhe aty mund të gjejnë edhe rezultatin.

“Qëllimi është të standardizojmë mënyrën si rekrutohet dhe çdo entitet i administratës publike është detyruar tashmë të publikojë të dhënat e veta. Prej 2 muajsh kemi marrë një vendim që institucionet të publikojnë të dhënat e veta në këtë portal. Çdo person ka 7 ditë për të aplikuar dhe rezultati do të jetë i publikuar në portal”, tha Ibrahimaj.

Platforma e re mundëson publikimin e të gjitha vendeve të lira të punës në një sistem të vetëm, duke përfshirë edhe pozicionet në administratën publike, institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet shtetërore.

“Qëllimi ynë është të standardizojmë procesin e rekrutimit dhe të rrisim transparencën. Çdo institucion i administratës publike tashmë është i detyruar të publikojë vendet e lira të punës në këtë portal, duke i dhënë mundësi çdo qytetari të aksesojë informacion të plotë dhe në kohë reale,” theksoi ministrja.

Sipas saj, portali është tashmë aktiv prej tre muajsh dhe zbatimi i detyrimit për publikimin e vendeve të lira të punës ka nisur prej dy muajsh. Deri më tani, rreth 80 institucione kanë publikuar mbi 1500 vende të lira pune në platformë, duke përfshirë si pozicione për nëpunës civilë, ashtu edhe për role të tjera në administratën publike.

Një element i rëndësishëm i platformës është vendosja e afateve të qarta për aplikim dhe transparenca në shpalljen e rezultateve. Çdo aplikant do të ketë 7 ditë kohë për të aplikuar, ndërsa rezultatet e procesit do të publikohen në mënyrë të hapur në portal.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›