Fermerët protestojnë përpara Ministrisë së Bujqësisë, kërkojnë rritjen e subvencioneve dhe kthimin e skemës së naftës pa taksa

Shoqata e Blegtorëve dhe Prodhuesve të qumështit ka organizuar një protestë përpara Ministrisë së Bujqësisë lidhur me ndryshimet në skemën kombëtare të bujqësisë.
Ata kërkuan nga institucionet rritjen e subvencioneve dhe kthimin e skemës së naftës pa taksa.
Më pas një grup përfaqësuesish, prej 10 vetash është pritur në takim nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla dhe ai i Financave Petrit Malaj.
Pas daljes nga takimi i cili zgjati më shumë se 2 orë, përfaqësuesit njoftuan se ishte rënë dakord për rishikimin e skemës kombëtare në shtator.
Pas takimit reagoi edhe Ministria e Bujqësisë. Ajo bëri të ditur se qeveria ka rritur në 4 miliardë lekë nga 2.5 miliardë pagesat e përfitimeve për blegtorët.
Gjithashtu fermerët prodhues të qumështit do të përfitojnë 10% të vlerës së faturave të shitjes si dhe gjatë muajit korrik do të nisë mbështetja për forcimin e kapaciteteve laboratorike, si në nivel rajonal, ashtu edhe në pikat e inspektimit kufitar, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/