E Diel, 1 Nëntor 2026

Denaj: Nga 300 mijë fermerë që janë në vend, në BE vetëm 150 mijë mund të plotësojnë kriteret

Kryetarja e komisionit parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Anila Denaj ka shpjeguar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit se 300 mijë fermerë janë shumë për ekonominë shqiptare.

Sipas Denajt, në procesin e negociatave, “ata imagjinojnë që deri në momentin që ne hyjmë në Bashkimin Evropian, diku rreth 150 mijë fermerë mund të jenë në konceptin e asaj që ata e parashikojnë të quhet fermë”.

“Duke u bashkuar të gjithë në prodhim në këtë sipërfaqe toke, e cila mund të jetë 3 hektarë me sipërfaqet që na takojnë, ne nuk kemi nevojë të bashkojmë pronën. Ne bashkojmë veterinerin ose agronomin, produktin, plehun kimik dhe ulim disa nga kostot.

Dhe sot kemi rreth 300 mijë fermerë të regjistruar. 300 mijë fermerë është një numër shumë i madh për ekonominë shqiptare. Edhe në raport me skemat kombëtare që diskutohen me Bashkimin Europian në procesin e negociatave, ata imagjinojnë që deri në momentin që ne hyjmë në Bashkimin Europian, diku rreth 150 mijë fermerë mund të jenë në konceptin e asaj që ata e parashikojnë të quhet fermë”, u shpreh Denaj.

Ajo vuri në dukje se edhe incentivat shtetërore “ndjekin standardet e strukturave të BE-së. Ne kemi negociuar prej disa vitesh. Ne nuk kemi filluar sot negociatat me Bashkimin Europian dhe në sektorin e bujqësisë, në tre kapitujt që ai ka.”

E pyetur nga analisti Lorenc Vangjeli se “pse çmimet e produkteve kryesore të shportës, të cilat tashmë po rriten si efekt zinxhir për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit, janë më të shtrenjta jo vetëm krahasuar me rajonin, por edhe me Perëndimin?”, ajo u përgjigj duke thënë se “në fund të fundit ka dy elementë që mund të adresohen. E para, pjesa e spekulatorit. E pra, ka emra të ndryshëm në zona të ndryshme të Shqipërisë. Disa vite më parë, në rrethin e Korçës, unë dëgjova dhe mësova emrin e “xhambazit” ose, sepse po flasim për terminologji. Sot dëgjova pjesën e transportuesve që thanë se ata që kanë letra dhe ata që nuk kanë”.

Denaj vuri në dukje se kjo është edhe një betejë me informalitetin e gjatë “që ka ardhur në rënie dhe ne duhet ta theksojmë këtë, sepse lufta kundër informalitetit është një luftë e të gjitha kohërave, e çdo viti, por është një luftë që nuk i përket vetëm institucioneve”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›