E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i GJKKO: Ervis Cvilo lirohet nga akuza për trafik droge, dënohet me 2 vite burg për “grup i strukturuar kriminal”

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) njoftoi sot, më datë 28.10.2025, vendimin e saj për çështjen penale të të pandehurit Ervis Cvilo, i cili ishte nën hetim për akuza të rënda.

Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar gjykimin e Cvilos për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale,”.

Gjyqtarët Elsa Ulliri, Flojera Davidhi dhe Bib Ndreca, duke zhvilluar gjykimin sipas rregullave të gjykimit të shkurtuar, vendosën të ndajnë akuzat.

Pushimi i akuzës për trafik droge

Gjykata vendosi pushimin e akuzës ndaj Ervis Cvilos për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” në formën e grupit të strukturuar kriminal. Arsyeja ligjore e këtij vendimi bazohet në faktin se ndjekja penale nuk duhej të vazhdonte pasi i pandehuri është gjykuar për të njëjtin fakt penal me një vendim të formës së prerë.

Dënimi përfundimtar

Nga ana tjetër, Gjykata e shpalli fajtor të pandehurin Ervis Cvilo vetëm për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, duke e dënuar fillimisht me 3 vite burgim.

Në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, dënimi i është ulur me 1/3 (një e treta), duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim. Ky dënim do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, duke filluar nga momenti i arrestimit.

Gjithashtu, Cvilos i ngarkohen shpenzimet proceduriale paraprake dhe gjyqësore, në mënyrë solidare me të pandehurit e tjerë në procedim të lidhur. Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›