E Hënë, 2 Nëntor 2026

Detaje nga vrasja te Komuna e Parisit, 34-vjeçari humbi jetën pas sherrit me kolegun picier. Autori: Më bullizonte

Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë që tronditi pasditen e kësaj të marte zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku një person humbi jetën pas një konflikti të ndodhur në një lokal.

Viktimë ka mbetur Indrit Ismaillari, 34 vjeç, i cili punonte si kuzhinier në lokalin ku ndodhi ngjarja. Ai është qëlluar për vdekje nga kolegu i tij, Filip Shehu, 41 vjeç, me profesion picier, i cili është arrestuar menjëherë nga policia.

Sipas burimeve nga vendngjarja, konflikti mes dy kolegëve ka nisur fillimisht me debate verbale dhe më pas ka degjeneruar në përleshje fizike në ambientet e kuzhinës së lokalit. Autori i dyshuar, Filip Shehu, ka përdorur një nga thikat e punës për ta goditur kolegun, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Dyshohet se mes tyre kanë pasur konflikte të herëpashershme, ndërsa gjatë dëshmisë paraprake Shehu ka pretenduar se ishte bullizuar nga viktima prej kohësh.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të personelit mjekësor, 34-vjeçari Ismaillari ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të sqaruar në detaje rrethanat e konfliktit, motivacionin e ngjarjes dhe për të dokumentuar provat që do ndihmojnë në zbardhjen e plotë të saj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›