E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendimi i Kushtetueses, Osmani fton Kuvendin të caktojë seancën për zgjedhjen e presidentit

PRISHTINË, 25 mars/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani e mirëpriti aktgjykimin e Gjykatës Kushtetues dhe afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bën atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues.

Në reagimin ndaj vendimit të Kushtetueses për pavlefshmëri juridike të dekretit të saj për shpërnarjen e Kuvendit, Osmani ftoi Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri.

Sipas reagimit, vendimi i Kushtetueses konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.

“Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”, thuhet në reagim.

Presidenca ka shprehur të njëjtin qëndrim në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke potencuar se dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe se nuk është dekreti, por është vetë dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje.

Presidentja e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bën atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues.

“Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit”, thuhet në reagim. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›