E Diel, 1 Nëntor 2026

Vengu: Rreth 1 mijë efektivë të rinj në 14 muaj, ulen me 70% largimet vullnetare nga Forcat e Armatosura

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi sot se Forcat e Armatosura po kalojnë një proces rekrutimi shumë dinamik, me tre faza rekrutimesh të planifikuara gjatë vitit.

Në një konferencë për shtyp, Vengu bëri të ditur se faza e parë është përmbyllur me 252 kandidatë të shpallur këtë muaj, të cilët kanë nisur sot stërvitjen në qendrat stërvitore në të gjithë vendin, duke dëshmuar, sipas tij, aftësinë tërheqëse të vokacionit ushtarak.

Ministri theksoi se, nëse merret në konsideratë 14-mujori i fundit, përfshirë edhe prurjet e reja të këtyre ditëve, Forcave të Armatosura u janë shtuar rreth 1 mijë personel aktiv.

Sipas tij, në muajt mars dhe prill do të zhvillohet faza e dytë e rekrutimit me 200 kuota të tjera, ndërsa projektohen edhe 400 rekrutime shtesë në gjysmën e dytë të vitit.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm, sipas Vengut, është ulja me 70% e largimeve vullnetare krahasuar me vitet e mëparshme, si dhe nisja e rikthimeve në radhët e ushtrisë. Gjatë muajve janar-shkurt janë rikthyer 48 ushtarakë, përfshirë 4 oficerë, 30 nënoficerë dhe 14 ushtarë aktivë. Ai parashikoi që në 10-mujorin në vijim të rikthehet një numër i ngjashëm efektivësh.

Sa i përket komponentit të rezervistëve, ministri njoftoi se ka nisur rekrutimi, me synimin për të arritur në 363 rezervistë gjatë këtij viti dhe për të ruajtur të njëjtin ritëm në vitet pasuese, në të gjitha specialitetet.

Për ta bërë më tërheqëse përfshirjen në forcën rezerviste, tha vëngu, këtë vit kontrata do të shoqërohet edhe me bursa, fillimisht për mjekët dhe të rinjtë që synojnë specializime në mjekësi.

Vengu bëri të ditur gjithashtu se këtë muaj nisin procedurat për rekrutimin e kadetëve/studentëve të Shkollës së Aviacionit.

Aplikimet do të jenë të hapura si për efektivët aktivë, ashtu edhe për të rinj nga bota civile që plotësojnë kriteret.

Fillimisht do të përzgjidhen 40 kandidatë, të cilët do t’i nënshtrohen një testimi rigoroz, ndërsa prej tyre do të përzgjidhen 10 kadetë që do të ndjekin një kurrikulë 18-mujore për t’u certifikuar si pilotë.

Ministri shtoi se helikopterët stërvitorë të porositur vitin e kaluar janë prodhuar dhe pritet të mbërrijnë në muajin maj.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›