E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i NATO-s 2027 në Tiranë, Vengu: Task-forca dhe planifikimi gati deri në maj

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi sot se brenda muajit maj do të finalizohet i gjithë aspekti përgatitor për samitin e NATO-s, që do të zhvillohet në Shqipëri, Tiranë në vitin 2027.

Gjatë një konference për mediet, Vengu bëri të ditur se planifikimi për organizimin e samitit ka nisur dhe se është ngritur një task-forcë e përhershme, e përbërë nga komponentë civilë dhe ushtarakë, e drejtuar nga një koordinator kombëtar.

Sipas tij, për çdo segment të përgatitjes, infrastruktura, logjistika, bashkëpunimi ushtarak, elementët e armatimit në funksion të sigurisë, si dhe aspektet politike të agjendës, janë përcaktuar koordinatorë kombëtarë që kanë nisur punën dhe po ndjekin temat përkatëse.

“Ecuria është shumë e mirë sa i përket ndërveprimit me forcat e armatosura të vendeve aleate, si forcat holandeze, që e organizuan samitin vitin e shkuar, apo ato turke, që e kanë këtë vit. Në plan kemi që brenda muajit maj të finalizohet i gjithë aspekti parapërgatitor, në mënyrë që çdo institucion i përfshirë – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Garda e Republikës, institucionet e infrastrukturës, agjencitë e inteligjencës etj. – të ketë të përcaktuara detyrat që duhet të realizohen këtë vit dhe vitin e ardhshëm për mbarëvajtjen e samitit”, u shpreh Vengu.

Ai theksoi se paralelisht po punohet edhe për elementin e agjendës politike të samitit, në koordinim me aleatët, ndërsa shtoi se ekziston një bashkëpunim i ngushtë civilo-ushtarak në funksion të përgatitjeve.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›