E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vengu: Situatë e përmirësuar e zjarrit në tre fshatrat në Delvinë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndoqi sot nga afër situatën e zjarreve në fshatrat Vergo, Palavli dhe Kopaçëz, në Delvinë.

“Pranë banorëve të fshatrave Vergo, Palavli dhe Kopaçëz, në Delvinë, ku pas ndërhyrjes së përqendruar të forcave, kemi një situatë të përmirësuar”, shkroi Vengu në rrjetet sociale.

Ministri u shpreh se, katër helikopterë janë angazhuar me fluturime të pandërprera në tre fshatrat e zonës, për të kufizuar përimetrin e flakëve, ndërsa mbi 120 forca po operojnë në terren për të orientuar dhe mbështetur banorët.

“Duhet të sigurohemi që mbrëmja të kalojë sa më e sigurt për ta, ndërsa mbetemi në gatishmëri të plotë, pasi orët në vijim pritet të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta”, theksoi Vengu.

“Shefi i Komisariatit të Delvinës ka ndërhyrë për të ndihmuar banorët në kushte shumë të vështira, duke kryer një akt të vërtetë heroik. Ai është lënduar gjatë operacionit dhe po merr ndihmën shëndetësore në spital. I urojmë shërim të shpejtë dhe jemi mirënjohës për guximin e treguar çdo efektivi”, shtoi ministri, teksa ka falënderuar forcat zjarrfikëse, Policinë e Shtetit dhe partnerët tanë që po na ndihmojnë në këtë situatë të vështirë.

/gj.m//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›