E Diel, 1 Nëntor 2026

Vengu para samitit të NATO-s: Shqipëria, investime konkrete për sigurinë

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në Bruksel, në një takim të rëndësishëm që pason Samitin e Hagës, ku u përcaktuan objektiva të reja mbi bazën e një vlerësimi realist të mjedisit aktual të sigurisë. Në këtë takim merr pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu nga Brukseli vuri në dukje se Aleanca përcaktoi objektiva të reja mbi bazën e një vlerësimi realist të mjedisit të sigurisë globale.

“Diskutimet fokusohen sot te përshtatja operacionale e NATO-s, vendimmarrja më e shpejtë dhe shpërndarja më e balancuar e barrës së sigurisë mes aleatëve”, tha Vengu.

Sipas Vengut, vendimi për dislokimin e operacionit Arctic Sentry përreth Groenlandës konfirmon se siguria euroatlantike është e pandashme, nga veriu strategjik deri në Mesdhe.

“Në këtë kuadër, forcimi i pozicionimit të Aleancës në krahun juglindor mbetet po aq thelbësor. Shqipëria i di detyrat e saj dhe i përkthen ato në investime konkrete për sigurinë e vendit dhe të mbarë rajonit”, pohoi Vengu.

Takimi në Bruksel pritet të konkretizojë më tej prioritetet e përcaktuara në Hagë, në një kohë kur sfidat e sigurisë në hapësirën euroatlantike vijojnë të mbeten komplekse dhe dinamike. Mbështetja për Ukrainën do të përbëjë sërish një nga shtyllat e diskutimit, së bashku me forcimin e mbrojtjes, zbatimin e angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të saj dhe vëmendje për krahun lindor të Aleancës.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›