Vengu publikon procedurat për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve nga zjarret

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur sot se procesi i vlerësimit dhe kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarret në territorin e vendit do të zhvillohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të strukturuar që synon të sigurojë një trajtim të drejtë dhe transparent për të gjitha subjektet e dëmtuara.
Ky proces nis me ngritjen e Grupit të Konstatimit për inventarizimin e dëmeve, një strukturë që ngrihet me urdhër të kryetarit të bashkisë dhe ka për detyrë të evidentojë dëmet në banesa, infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, si dhe në objekte me funksion social apo kulturor.
Ministri informoi se grupi plotëson formularët përkatës, ku pasqyrohen dëmet së bashku me vlerësimin financiar të tyre, duke krijuar një pasqyrë të qartë të nevojave për ndërhyrje dhe mbështetje.
Më pas, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara, së bashku me të gjithë dokumentacionin shoqërues, që i paraprin fazës së vlerësimit përfundimtar.
Pasi të jetë përcaktuar kostoja e dëmeve, vuri në dukje Vengu, çdo bashki angazhohet të realizojë kompensimin përkatës për banorët dhe subjektet e dëmtuara, duke përdorur fondet e saj të posaçme për mbrojtjen civile.
“Ky mekanizëm synon të sigurojë një reagim të shpejtë dhe të koordinuar ndaj pasojave të fatkeqësive natyrore, duke vendosur në qendër të vëmendjes mbështetjen ndaj komuniteteve të prekura dhe rivendosjen e normalitetit në jetën e tyre të përditshme”, deklaroi ministri.
1 nga 4/r.e/