Vengu thirrje të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Forcat e Armatosura po shndërrohen në një strukturë tërheqëse për karrierë jo vetëm për të rinjtë nga jeta civile, por gjithnjë e më shumë edhe për ata që tashmë shërbejnë në uniformë.
Qendra e Rekrutimit bën të ditur se teksa kanë mbetur pak më shumë se 24 orë për të aplikuar në thirrjen e radhës për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura, të rinjtë dhe të rejat kanë mundësi të bëhen pjesë e një karriere premtuese dhe eksperience transformuese.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat të zgjedhin këtë rrugë përkushtimi dhe nderi duke vënë në dukje se kjo mundësi premton karrierë premtuese, ekperiencë transformuese, mundësi për të ecur me një mision.Stërvitja Bazë për këto regjistrime do të zhvillohet në datat 09 shkurt – 17 prill 2026
Mesatarja e regjistrimeve për vitin 2025 ka qenë më e lartë se ajo e vitit 2024.
Nëse në çdo fazë të rekrutimeve në vitin 2024 mesatarja e regjistrimeve ishte 237 ushtarakë, vetëm në fazën e parë të vitit 2025 janë regjistruar 353 të rinj e të reja, një rritje prej 67,1%.
Gjatë fushatës së fundit janë ulur gjithashtu me 6️4️,3️% vakancat dhe largimet krahasuar me mesataren e vitit 2024.
Vendosja e kapitalit njerëzor si prioritet përmes përmirësimit të trajtimit financiar të grave dhe burrave në uniformë po reflektohet në rritjen e interesit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.
Djemtë dhe vajzat në FA gjithashtu po shprehin një interes të shtuar për të vijuar shërbimin duke ndjekur kurset e karrierës.
/gj.m/j.p/