E Diel, 1 Nëntor 2026

Verifikime të IKTK-së në kishën e “Shën Sotirit”

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore  zhvilluan një verifikim në terren të Kishës së “Shën Sotirit”, në fshatin Thanë, Bashkia Lushnjë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja publikoi në rrjetet sociale momente nga puna e specialistëve në rrënojat e kësaj kishe mesjetare, ku u bë dokumentimi në detaje përmes evidentimit të gjendjes aktuale dhe mbetjeve arkitektonike.

Ministri bëri të ditur se, procesi do të vijojë me hulumtime të mëtejshme shkencore dhe me përgatitjen e një projekti që synon identifikimin e fazave të ndërtimit dhe vlerësimin e kësaj trashëgimie me rëndësi kulturore dhe historike.

Kisha e “Shën Sotirit” gjendet midis fshatrave Thanë dhe Kosovë e Madhe në Lushnjë. Nga arkeologu Gjerak Karaiskaj, kjo kishë është përmendur si kishë mesjetare e ndërtuar në shekujt XIII-XIV. Gjithashtu në Muzeun e Lushnjës gjendet një dokument në të cilin përmendet shekulli XIII si kohë e ndërtimit të saj, ndërkohë që thuhet se është prishur përpara vitit 1948.

Kisha e “Shën Sotirit” ka qenë një kishë e vogël, me shumë mundësi njënefshe dhe me afreske. /j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›