E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëdjegia e emigrantit, policia heton në Greqi

Vdekja në mënyrë tragjike e emigrantit 26-vjeçar, që i vuri flakën vetes dhe makinës së tij në fshatin Kryeluz të Kavajës, është bërë shkak, që policia të kërkojë motivin e ngjarjes jashtë Shqipërisë. 

Dashamir Biçaku

 Kjo duket se është deri më tani mundësia e vetme e hetuesve për të zbardhur motivin e vetësakrifikimit publik të Veiz Xhanit, ish-emigrant në Greqi. Policia shqiptare ka kërkuar të dhëna për aktivitetin dhe gjithçka ka lidhje me emigrantin e vdekur nga pala greke, duke u përqendruar në ndonjë mosmarrëveshje apo konflikt, që ai mund të ketë pasur gjatë qëndrimit në vendin fqinj. Një ditë pasi u kthye nga Greqia, i riu i vuri flakën makinës dhe hyri edhe vetë brenda saj duke gjetur vdekjen. Policia e Kavajës, po pret nga ekspertët mjeko-ligjorë një përgjigje të detajuar, jo vetëm për shkakun e vdekjes së emigrantit Veiz Xhani, por edhe detaje të tjera rreth ndonjë sëmundje të pashërueshme që mund të ketë pasur i vetëvrari. Emigranti 26-vjeçar i kthyer të mërkurën pasdite nga Greqia, ku qëndronte prej së paku tri vitesh, u vetëflijua në mënyrë të papritur mëngjesin e së enjtes në një nga tunelet ushtarake të fshatit Kryeluz, vetëm 1 km larg shtëpisë së tij në Memzotaj. Hetuesit e policisë së Kavajës, kanë ngritur dyshimet e tyre se Xhani, mund të jetë penduar për ndonjë veprim të kryer prej tij në Greqi dhe mund të ketë pasur frikë se do të zbulohej. Hetuesve iu ka bërë përshtypje frika e shfaqur prej emigrantit, sapo atij i është prezantuar si polic pyjor, një prej policëve të Komunës së Lekajt. Dëshmitarë të ndryshëm, por edhe vetë polici i Komunës së Lekajt, i ka pohuar hetuesve se sapo i është prezantuar emigrantit të vetëdjegur se ishte polic, ai nuk e kishte bërë të gjatë, por kishte rendur drejt tunelit, ku digjej mjeti i tij. "Ai hapi bagazhin e mjetit dhe u fut në të, ndërsa "Nissani" i tij me traga greke, ishte në flakë brenda tunelit". Kështu mësohet të ketë pohuar punonjësi i komunës, në dëshminë e tij për hetuesit e policisë së Kavajës. Pikërisht nisur nga frika e treguar prej tij, përpara një personi me titullin e policit, blutë dyshojnë se ai mund jetë përfshirë në ndonjë situatë jashtë vendit çka e ka bërë atë të pendohet. Ky dyshim i oficerëve të krimeve dhe krerëve të policisë së Komisariatit të Kavajës, ka shtyrë ata drejt zyrës së Interpolit dhe të kërkojnë nga kjo zyrë një interesim në qytetin e Selanikut. Homologëve grekë, pritet t'iu kërkohen të dhëna mbi personalitetin e të riut shqiptar, gjatë qëndrimit të tij në Selanik, lidhjet e shoqërinë e tij atje. Lëvizja e Xhanit nga Greqia në drejtim të Shqipërisë dhe vetëflijimi tragjik, jo shumë larg shtëpisë, ka bërë që policia të dyshojë mbi përfshirjen e tij në ndonjë problem në Greqi. Pritet që gjatë ditës së sotme dhe të hënës, Prokuroria dhe policia e Kavajës të marrin në pyetje të afërm të Xhanit, kryesisht vëllezërit, me të cilët ai ka qëndruar në Greqi. Një tjetër element që ka shtyrë policinë të dyshojë tek problemet e mbartura nga Greqia, ka qenë një telefonatë me të fejuarën vetëm dy ditë përpara kthimit në Shqipëri dhe vetësakrifikimit. "Jam sëmurë më dhemb koka. Kam një hall shumë të madh", mësohet t'i ketë thënë Xhani të fejuarës së tij, me të cilën ishte lidhur vetëm dy muaj më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›