E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferët sherr me armë për klientelën

TIRANE - Sherr në stacionin e furgonëve, plagoset me pistoletë vëllai i shoferit të një furgoni, policia shpall në kërkim një të dyshuar. 

Ylli Cara rreth 44 vjeç, banues në kryeqytet, ka mbetur i plagosur lehtë në këmbë, pasi ka marrë një plagë me armë zjarri. Sipas policisë ai është qëlluar nga një person i panjohur prej viktimës. Ngjarja ka ndodhur dje paradite rreth orës 10:30, në afërsi të stacionit të trenit, ku edhe qëndrojnë një pjesë e furgonëve të linjave të Durrësit. Shkak për ngjarjen mes tyre sipas burimeve të policisë ka qenë një konflikt banal, mes shoferit të një furgoni dhe një personi, që sipas policisë nuk është identifikuar. Pas grindjes së shoferit të furgonit të linjës së Durrësit, ka mbërritur i vëllai i tij Ylli Cara. Ai ka debatuar me autorin e plagosjes së tij për pak çaste dhe në grindje e sipër personi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tij. I dëmtuari është dërguar me shpejtësi në Spitalin Ushtarak, ku edhe ka marrë ndihmën e parë nga mjekët. Policia ka mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka administruar si provë një gëzhojë arme. Po kështu në Komisariatin nr.3, janë shoqëruar rreth 10 persona, të cilëve iu janë marrë dëshmi mbi ngjarjen. Policia pohoi se ka identifikuar autorin e krimit, i cili është shpallur prej tyre në kërkim me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.                           d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›