E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëvendosja nis mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit

PRISHTINË, 28 tetor /ATSH/ Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Pas dështimit të votimit të qeverisë së re me mandatar, Albin Kurtin, KosovaPress mëson nga burimet e saj se LVV ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme.

Sipas të njëjtit burim qëllimi i seancës së jashtëzakonshme është formimi i qeverisë së re, megjithatë mbetet e paqartë nëse do të ndryshohet mandatari për kryeministër të vendit.

Kujtojmë që formimi i qeverisë së re dështoi në seancën e fundit, ku mandatari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti mori besimin e 56 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

KosovaPress ka tentuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›