Ngarkesa me inerte iu derdh në Unazën e Tiranës, gjobitet dhe vihet nën hetim shoferi i kamionit

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Policia e Tiranës vuri nën hetim dhe gjobiti me 200 mijë lekë shoferin e një kamioni, pasi nuk respektoi masat e sigurisë për mjetet e tonazhit të rëndë dhe rregullat e qarkullimit.
Policia Rrugore njoftoi sot se “konstatuan në Mjull Bathore, kamionin tip “IVECO”, me drejtues shtetasin A. N., duke qarkulluar me një ngarkesë të pasiguruar”.
“Nga verifikimet rezultoi se mjeti kishte karakteristika ndërtimore dhe funksionale të ndryshuara në kundërshtim me normat teknike dhe ligjore në fuqi”, njoftoi policia.
Në përfundim të veprimeve procedurale, sipas policisë, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., 41 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve”.
Gjithashtu, ai u ndëshkua me masë administrative gjobë 200 000 lekë, iu pezullua leja e drejtimit dhe iu tërhoq leja e qarkullimit.
/m.q/r.e/a.f/