Vijojnë kërkimet për prezantuesin e BBC, autoritetet greke kanë zgjeruar operacionin në ishullin Symi

Rrjeti britanik BBC ka publikuar pamje të reja që duket se janë të fundit që tregojnë prezantuesin britanik Majkëll Mosli ( o. Mike Mosley) duke ecur drejt kodrave shkëmbore të ishullit grek Symi.
67-vjeçari i njohur për programet e tij televizive dhe podcastin “Just One Thing” në BBC Radio 4 u zhduk 4 ditë më parë gjatë pushimeve në këtë ishull. Terreni malor , cilësohet si “jo i lehtë” nga ekipet e përfshira në operacionin e kërkim- shpëtimi.
Doktor Mosli u raportua se u largua nga plazhi i Agios Nikolaos mesditën e së mërkurës, ndërsa pamjet e reja tregojnë një person që largohet në këmbë nga fshati.
Më herët të shtunën, zjarrfikësit filluan të kërkojnë në një rreze prej 6.5 km mbi një zonë malore që është e rrethuar nga deti.
Një anëtar i ekipit të shpëtimit tha se ishin në garë me kohën.
I pyetur nëse kishte ndonjë shenjë nga 67-vjeçari, ai tha se nuk kishte asgjë të re, por shtoi se ai mund të ishte kudo. Katër fëmijët e tij dhe bashkëshortja po ndihmojnë gjithashtu në kërkime në ishullin grek.
“Të gjitha mjetet e rojës bregdetare, varkat private dhe anijet tregtare pranë ishullit u përfshinë në kërkime” – tha roja bregdetare e Symit, ndërsa policia dhe zjarrfikësit grekë kanë përdorur drone dhe një qen për të gjetur prezantuesin e zhdukur.
Ekipet e zhytësve kanë kryer kërkime në ujë me ndihmën e rojës bregdetare greke. Kryetari i bashkisë së Symit tha se kërkimi do të vazhdojë derisa të 67-vjeçari të gjendet.
Policia greke tha se Mosli la bashkëshorten në plazh të mërkurën, përpara se të nisej për një shëtitje në qendër të ishullit Symi, ndërkohë që BBC raporton se ai nuk kishte marrë as telefonin celular me vete.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/