Vijojnë me ritem të shpejta punimet për rikonstruksionin e Shkollës së Mesme të Bashkuar në Lapardha

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Punimet për rikonstruksionin e Shkollës së Mesme të Bashkuar në Lapardha po zhvillohen me ritme të shpejta, duke sjellë për komunitetin një institucion arsimor modern dhe funksional.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, nënvizoi se ky investim synon transformimin e shkollës në një ambient me standarde të larta, të sigurt dhe të përshtatshëm për nxënësit dhe mësuesit.
Gjatë inspektimit të punimeve, Demo u shpreh se, “deri tani, janë përfunduar punimet për përforcimin e themeleve dhe mureve, instalimin e rrjetit elektrik dhe hidraulik, si dhe vendosja e sistemit të ngrohje–ftohjes. Në fazat në vijim, do të realizohen punimet në klasat mësimore, trajtimi i fasadës dhe ndërtimi i një këndi sportiv për nxënësit”.
Bashkia e Beratit bëri me dije se projekti pritet të përfundojë përpara fillimit të vitit të ri shkollor, duke mundësuar që nxënësit të rikthehen në një shkollë të rikonstruktuar plotësisht në muajin shtator, të pajisur me të gjitha kushtet e nevojshme për një proces mësimor më cilësor.
Ky projekt përbën një hap konkret në përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe mbështetjen e zhvillimit të komuniteteve lokale, duke kontribuar në krijimin e ambienteve moderne për edukimin e brezave të rinj.
1 nga 4/e.xh/a.f/