E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijojnë protestat në Iran, numri i viktimave rritet në disa mijëra, SHBA mund të ndërhyjë

Situata në Iran po përshkallëzohet nga ora në orë, ndërsa represioni ndaj protestuesve ka sjellë një bilanc të rëndë viktimash. Sipas Iran International, numri i viktimave ka shkuar në të paktën 12 mijë, kryesisht të rinj nën 30 vjeç, ndërsa autoritetet iraniane pranojnë vetëm rreth 3 mijë viktima. Edhe numri i të arrestuarve është rritur ndjeshëm duke shkuar në rreth 20 mijë.

Presidenti amerikan Donald Trump u bëri serish thirrje iranianëve të vazhdojnë protestat dhe të marrin kontrollin e institucioneve të tyre. Ai tha se ka anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë, dhe paralajmëroi se përgjegjësit për dhunën do të paguajnë një çmim shumë të lartë dhe se ndihma për protestuesit është në rrugë e sipër. Në një mesazh publik, Trump u kërkoi qytetarëve të dokumentojnë emrat e vrasësve dhe abuzuesve, duke përdorur edhe sloganin “Ta bëjmë Iranin të madh përsëri”.

Ndërkohë, kryenegociatori amerikan Steve Witkoff ka zhvilluar një takim sekret me Reza Pahlavin, ish-princin e kurorës iraniane në mërgim. Sipas burimeve amerikane. Ky është kontakti i parë i nivelit të lartë mes opozitës iraniane dhe administratës Trump që nga nisja e protestave. Reza Pahlavi deklaron se synon të kthehet në Iran dhe u bën thirrje forcave të sigurisë të qëndrojnë në krah të popullit, duke thënë se liria është afër.

Ndërkohë sekretari Marco Rubio ka njoftuar se Trump po shqyrton opsione jo-ushtarake, ndërsa presidenti njoftoi një ditë më parë tarifa prej 25% për vendet që tregtojnë me Teheranin dhe u ka kërkuar amerikanëve të largohen nga Irani.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›