Vijon kudo puna për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijon punën për prishjen e godinave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në gjithë vendin.
Nisma ka nisur nga zbatimi që prej muajit korrik dhe është konceptuar si një ndërhyrje e përhershme në territor.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aksion, i cili vijon në gjithë territorin.
“Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike”, shkruan Rama, krahas pamjeve.
Në të gjithë territorin e vendit po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, në kuadër të një nisme që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Në këtë drejtim, qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që shkelin ligjin, me qëllim garantimin e një zhvillimi urban të rregullt dhe në funksion të interesit publik.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë pasur edhe denoncimet e qytetarëve, të cilat realizohen përmes portalit të posaçëm “Hapësira ime publike”.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë raportuar 17 066 raste, nga të cilat 13 152 janë zgjidhur, ndërsa 3 914 raste janë ende në proces shqyrtimi.
/m.m/a.f/