Vijon lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Non stop në çdo qytet

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme vijon në të gjithë vendin duke i paraprirë zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Ndërkohë shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 14 130 raste të denoncuara.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet që po kryhen në qytetin e Durrësit, ku po vijon çlirimi i hapësirave publike.
“Non stop, në çdo qytet”, u shpreh Rama, krahas pamjeve të çmontimit të strukturave pa leje në qytetin bregdetar, por edhe largimit të kioskave apo rulotëve të pozicionuar pa leje në hapësirat publike.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në të gjithë territorin e vendit.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal parashikohen ndëshkime më të ashpra.
Një tjetër mekanizëm, që do të jetë në funksion të subjekteve private, do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.
Deri sot në portalin “Hapësira ime publike” ku qytetarët mund të denoncojnë shkeljet, janë raportuar 14 130 raste, nga të cilat janë zgjidhur 10 554 raste, ndërsa 3 576 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
/m.m/j.p/