Standarde europiane për vendosjen në treg të produkteve biocide

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Entela Ramosaçaj, prezantoi në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat ndryshimet në ligjin “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”, duke theksuar se ato synojnë sigurimin e një mbrojtjeje më të lartë për shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
Ramosaçaj nënvizoi se ndryshimet synojnë harmonizimin e rregullave për vendosjen në treg dhe përdorimin e produkteve biocide në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke eliminuar autorizimin e produkteve që nuk përmbushin kriteret e sigurisë së BE-së.
Ndër të tjera, projektligji parashikon që autorizimi i produkteve biocide do të jepet vetëm për ato të prodhuara në vend ose të importuara dhe të miratuara më parë në një nga vendet e BE-së, pavarësisht vendit të origjinës.
Ligji aktual lejon autorizimin e produkteve biocide që janë miratuar në vende të jashtme të BE-së (si SHBA, Kanada, Japonia, Turqi, etj.), duke përfshirë produkte që mund të mos përmbushin standardet e sigurisë të BE-së. Kjo krijon një standard të dyfishtë dhe rrit rrezikun e futjes në treg të produkteve me cilësi të ndryshme.
P/ligji parashikon krijimin e një strukture të specializuar brenda Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe forcimin e kapaciteteve të Institutit të Shëndetit Publik me specialistë të fushës për menaxhimin dhe kontrollin e produkteve biocide.
Gjithashtu, Komisioni i Autorizimit të produkteve biocide do të transformohet nga një organ këshillimor në një organ vendimmarrës, duke marrë përgjegjësi më të mëdha në autorizimin dhe rregullimin e përdorimit të këtyre produkteve.
Projektligji synon harmonizimin e legjislacionit për biocidet me atë për kimikatet, duke përmirësuar kontrollin mbi substancat kimike që përmbahen në produktet biocide.
Po ashtu, përcaktohen kritere për licencimin e personave fizikë dhe juridikë që tregtojnë këto produkte, me një fokus të veçantë te përdorimi për qëllime vetjake dhe kërkesat për kualifikimet e personave përgjegjës.
“Paketimi, ambalazhimi dhe transporti i produkteve biocide do të jenë të pëafruara me standardet e BE-së”, siguroi Ramosaçaj. /j.p/