E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vijon lirimi i hapësirave publike në Durrës, ndërhyrje të përditshme nga IMT

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Në bashkinë Durrës vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin.

Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ndau në rrjete sociale pamje nga punimet që po kryhen në disa zona të qytetit në kuadër të lirimit dhe sistemimit të hapësirave publike.

Ajo deklaroi se puna zhvillohet çdo ditë nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policia Bashkiake, me qëllim rikthimin e hapësirave publike për qytetarët.

“Hapësirat publike janë pronë e përbashkët. Ato i përkasin të gjithë qytetarëve dhe duhet të jenë të lira, të pastra dhe të aksesueshme për të gjithë”, theksoi Sako.

Lirimi i hapësirave publike është pjesë e vizionit të qeverisë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Puna ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›