E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon pastrimi i kanaleve në zonën e Nënshkodrës

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Rehabilitimi dhe mirëmbajtja e rrjetit të kullimit është kthyer në një nga prioritetet kryesore për parandalimin e përmbytjeve dhe për rritjen e rendimentit bujqësor në zonën e Nënshkodrës.

Aktualisht, me mbështetjen e Bordit të Kullimit, strukturat e bashkisë Shkodër po punojnë për pastrimin e kanaleve kryesore duke iu ardhur në ndihmë fermerëve për vaditjen e tokave në sezonin e verës.

Përgjegjësi i Shërbimit Bujqësor pranë bashkisë Shkodër, Muhamet Muça, tha në një prononcim për mediet se “ky është kanali i pestë, ku po punohet aktualisht dhe është i gjatësi rreth 9700 metra, ndërsa paralelisht do të ndërhyhet për pastrimin edhe në kanalet e tjera”.

Fermerët e zonës theksojnë rëndësinë e rehabilitimit të rrjetit vaditës dhe ndërgjegjësimit të komunitetit për mirëmbajtjen e kanaleve, shmangien e ndotjes dhe bllokimeve.

Gjatë dy viteve të fundit, vetëm në njësinë administrative të Berdicës janë pastruar mbi 25 000 metra linearë kanale kulluese, një investim ky që synon përmirësimin e menaxhimit të ujërave dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e bujqësisë në zonë.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›