Vijon restaurimi i argjinaturës së Bistricës së Madhe, FA të angazhuara për sigurinë e banorëve

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Skuadrat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për të mënjanuar problematikat e shkaktuara nga moti i keq.
Kryeministri Edi Rama ndau mesditën e së shtunës pamje nga puna që po kryhet në Sarandë, në zonën e Çukës, “për restaurimin emergjent të argjinaturës së Bistricës së Madhe, ku niveli i ujit ka filluar të bjerë”.
Në pamjet e publikuara nga kryeministri vihet re ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura që inspektojnë nga afër punimet, të cilat kanë nisur që prej të premtes në ora 08:30′, duke vijuar deri pas perëndimit të diellit, teksa kanë vijuar mëngjesin e sotëm pa ndërprerje për restaurimin e argjinaturës së Bistricës së Madhe.
Rama thekson se “Forcat e Armatosura mbeten të angazhuara në zonë për sigurinë e banorëve, në krah të strukturave lokale dhe vetëqeverisjes vendore”.
Kreu i qeverisë shton se të gjitha strukturat lokale dhe vendore janë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me pasojat e motit të keq.
Prej një jave, vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu, ndërsa bora ka prekur zonat malore. Reshjet kanë shkaktuar disa problematika në ultësirën perëndimore, ku strukturat vendore dhe ato lokale vijojnë të jenë maksimalisht të angazhuara për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet.
/a.f/