Viti i ri shkollor, Shërbimi Social Shtetëror mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Me nisjen e vitit të ri shkollor, fëmijët me aftësi të kufizuara të Qendrës së Zhvillimit “Pëllumbat” kanë nisur një tjetër kapitull në rrugëtimin e tyre drejt zhvillimit, arsimimit dhe përfshirjes.
Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Reme Lala, gjatë vizitës në këtë qendër uroi fëmijët për nisjen e vitit të ri shkollor dhe theksoi mbështetjen e institucionit për rrugëtimin e tyre.
“Jam sot këtu me Anxhelon, me Arbërin, me Ilin, me të gjithë fëmijët, një pjesë të fëmijëve të Qendrës së Zhvillimit ‘Pëllumbat’. Jo vetëm për t’ju uruar suksese në këtë nisje të vitit të ri shkollor, por edhe për t’ju thënë se jemi këtu për ju, për t’ju mbështetur në rrugëtimin tuaj drejt arsimimit, drejt zhvillimit, drejt përfshirjes së barabartë”, u shpreh Lala.
Shërbimi Social Shtetëror vijon angazhimin për garantimin e mundësive të barabarta në arsim, përmes bashkëpunimit me institucionet arsimore e sociale, me synim që çdo fëmijë të zhvillojë potencialin e tij dhe të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në jetën e komunitetit.
/e.i/j.p/r.e/