E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vjedhja në Luvër, Drejtoresha: Dështim i tmerrshëm i sigurisë. Kamera nuk mbuloi zonën ku u morën bizhuteritë

Drejtoresha e Muzeut të Luvrit, Laurence des Cars, ka pranuar publikisht se sistemi i kamerave të sigurisë nuk mbulonte plotësisht fasadën e jashtme të muzeut, pikërisht zonën ku ndodhi grabitja e guximshme në mes të ditës. Ngjarja tronditëse, e cila përfshiu vjedhjen e bizhuterive me vlerë rreth 88 milionë euro, ka rikthyer vëmendjen te masat e sigurisë në një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në botë.

“Pavarësisht përpjekjeve tona, pavarësisht punës sonë të palodhur çdo ditë, ne u mundëm,” – deklaroi Des Cars.

Ajo sqaroi se alarmi i sigurisë ka funksionuar, por mbikëqyrja vizuale ishte e mangët. Dritarja nga e cila hynë hajdutët nuk ishte e mbuluar nga kamerat, ndërsa e vetmja kamera aktive në zonë ishte e orientuar nga perëndimi dhe nuk përfshinte ballkonin ku ndodhi hyrja.

“E vetmja kamera që monitoronte Galerinë e Apollonit, ku u ekspozuan bizhuteritë, po kapte pamjet larg ballkonit mbi të cilin hajdutët u ngjitën për të hyrë brenda”, tha ajo.

“Ka disa kamera perimetri, por janë të vjetra,” pranoi drejtoresha, duke shtuar se kishte paralajmëruar prej kohësh për gjendjen e dobët të sigurisë në ndërtesën historike.

Des Cars bëri të ditur se kishte ofruar dorëheqjen pas ngjarjes, por ajo ishte refuzuar. Ndërkohë, Presidenti francez Emmanuel Macron ka urdhëruar “përshpejtimin” e masave të sigurisë në muze, i cili është rihapur për vizitorët.

Grabitja ndodhi të dielën, kur një grup hajdutësh përdorën një shkallë të montuar në një kamion për të hyrë në Galerinë Apollo, një nga sallat më të zbukuruara të Luvrit. Pasi thyen një dritare dhe të armatosur me levë, ata shënjestruan dy vitrina të sigurisë së lartë dhe vodhën bizhuteri franceze me vlerë të jashtëzakonshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›