Fleta e pavlefshme e votimit që vuri në diskutim emërimin në Kushtetuese, avokati Brahimllari: Gjyqtari duket se e ka bërë qëllimisht

Një fletë votimi e pavlefshme ka vënë në diskutim procesin e emërimit në Gjykatën Kushtetuese, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e mandatit të Asim Vokshit, anëtar i zgjedhur nga Gjykata e Lartë. Kontestimi i bërë nga Naureda Llagami ka ngjallur një debat mbi mënyrën si është shprehur vullneti në votim dhe nëse ai përbën shkelje të rregullave.
Avokati Gurali Brahimllari, ish-magjistrat, i pranishëm në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, ka komentuar rastin duke e cilësuar jo si gabim teknik, por si një veprim të qëllimshëm nga ana e gjyqtarit që e ka hedhur votën.
“Në pamje të parë duket e qartë se vullneti i gjyqtarit ishte për zonjën Llagami. Por ky është një jurist që pritet të zgjidhë problematika të tilla. Mënyra si është votuar duket si një shkelje e qëllimshme e rregullave të votimit,” tha Brahimllari.
Ai shtoi se nuk beson që kemi të bëjmë me një gabim, duke theksuar se një anëtar i Gjykatës së Lartë nuk mund të bëjë një gabim të tillë në një proces kaq të ndjeshëm.
“Vota pro nuk mbetet e dyshimtë si vullnet, por mënyra e të votuarit e identifikon votuesin dhe kjo nuk duhej të ndodhte,” theksoi ai.
Kujtojmë se në votimin e zhvilluar më 30 shtator, Llagami mori 8 vota, Asim Vokshi 6, ndërsa kandidati i tretë, Florian Ballhysa, nuk mori asnjë votë. Një votë u shpall e pavlefshme. Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 11 nëntor 2025 për të shqyrtuar kërkesën e depozituar nga Naureda Llagami, e cila konteston vendimin e Gjykatës së Lartë për emërimin e Asim Vokshit si anëtar i ri i Kushtetueses.
/rtsh.al/